Vizitë e Ministrit Gjiknuri në ALBCONTROL pas përfundimit të investimit 4 vjeçar për Tirana Tower

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Damian Gjiknuri inspektoi sot investimet e kryera në Agjencinë e Kontrollit të Trafikut Ajror, ALBCONTROL. Gjatë  katërvjeçarit të fundit, Kulla e Kontrollit të Trafikut Ajror ka pësuar përmirësime operacionale thelbësore, duke bërë të mundur rritjen e sigurisë, kapacitetit dhe cilësisë së shërbimeve, falë investimeve që kanë arritur vlerën 6 milionë dollarë.

 “Është një progres i jashtëzakonshëm dhe më vjen mirë të konstatoj që ALBCONTROL është avangard në rajon dhe krahasuar me vende të tjera ka një teknologji shumë moderne dhe ofron shërbime jashtëzakonisht të mira”, u shpreh Ministri Gjiknuri gjatë vizitës së tij. Ai theksoi se të gjitha këto investime kanë ardhur si rezultat i mirëmenaxhimit të kësaj kompanie, dhe  për më tepër ALBCONTROL, në funksion edhe të strategjisë së qeverisë shqiptare për të zgjeruar infrastrukturën aeroportuale, ka marrë masat për përgatitjen dhe trajnimin e stafit si dhe investimin e teknologjisë së duhur, duke krijuar kapacitetet e nevojshme për të ofruar shërbime cilësore dhe të sigurta për infrastrukturën e shtuar të pritshme aeroportuale.

 Drejtoresha e ALBCONTROL, znj. Belinda Balluku, u ndal më gjerë tek investimet e kryera në kompani me synim garantimin e standardeve evropiane për sigurinë ajrore.

“Sapo kemi përfunduar ringritjen e ambjenteve të brendshme të Kullës së Kontrollit, ku janë vendosur tre konsola, të cilat përbëhen nga pajisje të fundit teknologjike nga më modernet që ekzistojnë, për të facilituar të gjitha proceset e punës së kontrollorëve të trafikut ajror. ALBCONTROL është në progres të vazhdueshem e dinamik, sikurse edhe vetë industria e aviacionit. Shqipëria, si të gjitha vendet evropiane duhet të përmbushë të gjitha kriteret që kërkohen nga BE për të operuar në mënyrë të parrezikshme dhe për të ofruar standardet e kërkuara, që kryesisht kanë të bëjnë me minimalizimin e vonesave, dhe krenarisht themi se ALBCONTROL e ofron shërbimin me vonesa zero”.

Gjatë këtyre viteve është bërë i mundur përditësimi i Sistemit Skyline me të cilin operon kompania, që ka sjellë ndër të tjera automatizimin e funksioneve të Kullës së Kontrollit, përmirësimin e koordinimit e shkëmbimit të informacionit, si dhe përpunimit të të dhënave. Falë përditësimit të këtij sistemi  është përmirësuar cilësia dhe siguria në ulje/ngritje dhe janë eleminuar vonesat.

Gjatë fazës së investimeve është aktivizuar Sistemi i Menaxhimit në Distancë të Sipërfaqes, që përfshin instalimin e Sistemit video ultra HD, vendosur në sipërfaqen e aeroportit, i cili në mungesë të pamjes vizuale me sy të lirë (kushte atmosferike të rënduara ose pozicione të pafavorshme) ofron pamje në kohë reale të lëvizjeve në zonën e manovrimit, mundësinë e kontrollit të trafikut në ulje/ngritje, si dhe në rastet e pazakonta. Ky sistem ka sjellë përmirësim të dukshëm të kontrollit vizual të TXW, vendqëndrimit të avionëve, kontaktit vizual gjatë ulje/ngritjeve, si dhe pamjeve gjatë natës dhe në mot të keq.

Programi i rosterit qendror (CRS), pjesë e këtij investimi 4-vjeçar ka mundësuar komunikimin online me të gjithë përdoruesit, për çdo kërkesë të mundshme nga ana e tyre, nëpërmjet programit ndihmës të personalizuar (PRS), i cili përveçse funksionimit online në WEB, ekziston edhe si aplikacion për smartphone (android dhe iPhone).

Tiranë, më 12/12/2017

Leave A Comment