- 24 Tetor, 2014
- Comments (0)
Z. Frank Brenner, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Evropiane për Sigurinë e Fluturimeve Ajrore, zhvilloi një vizitë pune 2 ditore në Shqipëri, në kuadër të presidencës së rradhës të vendit tonë në Komitetin e Menaxhimit të EUROCONTROL.
Gjatë vizitës së tij në ALBCONTROL z. Brenner vlerësoi rezultatet e arritura nga Agjencia e Shërbimit të Lundimit Ajror Shqiptar drejtuar nga Znj. Belinda Balluku dhe shprehu se: “Shqipëria dhe ALBCONTROL kanë të dhëna të shkëlqyera në siguri, si dhe në terma ekonomikë. Unë mendoj se Shqipëria dhe ALBCONTROL kanë mundësi të kthehen në një pikë të fortë në rajon, por edhe në fluturimet mbi hapësirën e saj.
ALBCONTROL ka qenë një ndihmues i madh në projektin shumë të ndjeshëm, të rihapjes së hapësirës ajrore të Kosovës dhe për këtë e falënderojmë
Nëse shikoni vendosjen gjeografike nga Irlanda, shteti më perëndimor pjesë e EUROCONTROL e deri në Gjeorgji, Shqipëria është e vendosur në qendër. Unë mendoj që fluturimet mbi hapësirën shqiptare janë një e ardhur shumë e madhe për Shqipërinë dhe ALBCONTROL. Rritja e përthithjes së trafikut ajror është një gjë shumë pozitive. Tërheqjet turistike janë të shumta në Shqipëri, pra bëhet fjalë vetëm për sigurimin e infrastrukturës së duhur për t’i tërhequr këta turistë dhe udhëtarë të tjerë drejt Shqipërisë, duke u siguruar dhe më shumë lehtësira”
Në takimin me Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, z. Brenner, në emër edhe të shteteve anëtare të EUROCONTROL, vlerësoi kontributin e vendit tonë në mbarëvajtjen e punëve në manaxhimin e Qiellit të Përbashkët Evropian.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord në parim për miratimin e marrëveshjes bilaterale me EUROCONTROL lidhur me Tarifat e Terminalit.
Gjatë takimit me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, z. Arben Ahmetaj, Drejtori i EUROCONTROL, Frank Brenner, e cilësoi shërbim-ofruesin e lundrimit ajror shqiptar, ALBCONTROL, në lartësinë e duhur për të qenë pjesë e nismave të përbashkëta evropiane në fushën e navigimit ajror dhe shprehu gatishmërinë e mbështetjes së Shqipërisë në nismat e saj zhvillimore në këtë fushë.
Drejtori i EUROCONTROL u prit gjithashtu nga Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, i cili e siguroi për angazhimin e plotë të Qeverisë dhe mbështetjen ndaj ALBCONTROL, si pjesë e pandarë e Qiellit të Vetëm Evropian.