- 5 Qershor, 2025
- Comments (0)
ESSP dhe Ofruesi i Shërbimeve të Lundrimit Ajror të Shqipërisë (ALBCONTROL) nënshkruajnë Marrëveshjen e përdorimit të sinjalit satelitor EGNOS (EWA) me qëllim rritjen e efikasitetit dhe të sigurisë së operimeve ajrore në qiellin Shqiptar.
Nënshkrimi i Marrëveshjes për EGNOS (EWA) midis ALBCONTROL dhe ESSP përfaqëson një arritje të rëndësishme, duke shënuar një angazhim strategjik për të përmirësuar sigurinë dhe efikasitetin e Shërbimeve të Lundrimit Ajror në hapësirën ajrore Shqiptare. Duke formalizuar bashkëpunimin me “European Satellite Services Provider (ESSP)”, ALBCONTROL hap rrugën për zbatimin e procedurave me udhëzim preçiz të bazuara në EGNOS në të ardhmen e afërt.
“European Geostationary Navigation Overlay Service” (EGNOS) është një sistem satelitor që përmirëson performancën e Sistemit të Pozicionimit Global (GPS). Me adoptimin e EGNOS, ALBCONTROL do të përfitojë duke:
– Rritur ndërgjegjësimin në lidhje me situatat operacionale;
– Përmirësuar sigurinë në operim të fluturimeve;
– Siguruar efektivitet operacional më të lartë.
EGNOS do të mundësojë afrim dhe ulje më të saktë të avionëve nëpërmjet udhëzimit preçiz, veçanërisht në kushte të vështira moti, duke optimizuar kështu operimet ajrore.
Kjo Marrëveshje nënvizon përkushtimin e ALBCONTROL për tu përshtatur me standardet Europiane të aviacionit dhe për të adoptuar teknologji inovative që mbështesin Lundrimin e Bazuar mbi Performancë (PBN), duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin dhe ndërlidhjen e Rrjetit Europian të Menaxhimit të Trafikut Ajror (ATM).
Përmes procedurës së afrimit LPV (Localizer Performance with Vertical guidance), bazuar në EGNOS, ALBCONTROL do të:
- Përmirësojë kapacitetet e uljes me precizion me LPV 200, veçanërisht në aeroporte ku infrastruktura tradicionale e navigimit është e kufizuar;
- Reduktojë minimumet operacionale në fazën e fundit të afrimit (p.sh., lartësi më të ulëta/kërkesa të reduktuara për shikueshmëri), duke realizuar operime më të sigurta në kushte të vështira moti;
- Mbështesë modernizimin e infrastrukturës së aviacionit Shqiptar në përputhje me Planin Global të Navigimit Ajror të ICAO-s (GANP) dhe objektivat e SESAR.
Kjo nismë pasqyron gjithashtu përkushtimin e ALBCONTROL për zbatimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe me kosto-efektive që sjellin përfitime për operatorët komercialë dhe ato të aviacionit të përgjithshëm.
I pyetur për planet e implementimit të procedurave LPV në Shqipëri, Z. Dorian Kolonja, Drejtori i Operimeve në ALBCONTROL, theksoi se aktualisht, dy aeroportet ndërkombëtare që do të përfitojnë nga zbatimi i procedurave të bazuara në EGNOS janë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (LATI) dhe Aeroporti i ri Ndërkombëtar i Vlorës (LAVL):
- Për Aeroportin e Tiranës (LATI): Aktualisht, procedurat RNP në fuqi janë publikuar vetëm me dy minimume, LNAV dhe LNAV/VNAV. Pas kryerjes së aktivitetit të vlerësimit ajror të procedurës së fluturimit, do të publikohet një hartë e re e procedurave RNP, e cila do të përfshijë të tre minimumet, LNAV, LNAV/VNAV dhe LPV brenda këtij viti.
- Për Aeroportin e Vlorës (LAVL):
Për këtë aeroport, i cili pritet të bëhet operacional përgjatë sezonit Veror 2025, aktualisht jemi në fazën e hartimit të procedurave RNP me të tre minimumet, LNAV, LNAV/VNAV dhe LPV për të dy skajet e pistës me synim publikimin e tyre përpara Pranverës 2026.
ESSP (European Satellite Services Provider) është Ofruesi i certifikuar i Shërbimeve të Lundrimit Ajror (ANSP) nën mbikëqyrjen e EASA-s dhe është përgjegjës për ofrimin e Shërbimit “EGNOS Safety of Life” (SoL) për aviacionin në të gjithë Europën. Si një faktor kyç, ESSP siguron që ky shërbim të plotësojë standardet ndërkombëtare të sigurisë në aviacion dhe ofron mbështetjen teknike dhe operative të nevojshme për përdoruesit e EGNOS.
Përdorimi i EGNOS pritet të luajë një rol vendimtar në sistemet e ardhshme të Menaxhimit të Trafikut Ajror, veçanërisht ndërsa Evropa po ecën përpara me zbatimin e projektit të “Qiellit të Vetëm Europian” (SES), i cili synon përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të hapësirës ajrore në të gjithë kontinentin.
Marrëveshja për EGNOS (EWA) ofron një mekanizëm formal për bashkëpunimin midis ESSP dhe ALBCONTROL dhe vepron si një përshpejtues për zbatimin e projektit të Lundrimit të Bazuar mbi Performancë (PBN). Kjo marrëveshje ndihmon entitetet pjesëmarrëse të kenë një kuadër më të qartë rregullator dhe operativ për zbatimin e procedurave të fluturimit të bazuara në EGNOS, veçanërisht procedurat instrumentale të afrimit deri në minimumin LPV.
EWA ndihmon në përpjekjet e vazhdueshme të ALBCONTROL për përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare të aviacionit civil, duke përfshirë kërkesat e ICAO-s për Lundrimin e Bazuar mbi Performancë (PBN). Në këtë kuptim, EGNOS po përdoret gjithnjë e më shumë në të gjithë Evropën për të reduktuar varësinë nga infrastruktura tokësore, duke mbështetur planet Evropiane të racionalizimit të pajisjeve të lundrimit ajror.
Kjo marrëveshje nënvizon gjithashtu natyrën përfshirëse të shërbimit EGNOS, përfitimet e të cilit shtrihen përtej kufijve të Bashkimit Europian. Edhe pse Shqipëria nuk është një shtet anëtar i BE-së, integrimi i saj në kuadrin operativ të EGNOS demonstron rëndësinë strategjike të mundësimit të aksesit ndaj shërbimeve të avancuara të lundrimit satelitor për të gjitha vendet brenda zonës së shërbimit EGNOS. Kjo arritje forcon përkushtimin për një hapësirë ajrore Europiane të unifikuar dhe të ndërlidhur, ku siguria, efikasiteti dhe përparimi teknologjik janë prioritete të përbashkëta, pavarësisht nga anëtarësia në BE.
