- 2 Dhjetor, 2021
- Comments (0)
Hapësira për fluturime pa rrugë ajrore (Free Route Airspace, FRA) është një vëllim i përcaktuar i hapësirës ajrore në të cilin përdoruesit mund të planifikojnë fluturimet e tyre lirisht midis pikave të përcaktuara të hyrjes dhe daljes nga hapësira jonë ajrore. Në varësi të disponueshmërisë së hapësirës ajrore, itinerari është i mundur nëpërmjet pikave të ndërmjetme, pa iu referuar rrjetit të rrugëve të shërbimit të trafikut ajror (ATS). Ky koncept i ri operacional është një mënyrë për të përmirësuar efiçencën, kapacitetin dhe problemet mjedisore të sektorit të aviacionit duke ndihmuar në uljen e konsumit të karburantit dhe emetimeve të CO2, ndërkohë që përmirëson efikasitetin e fluturimit. Në të njëjtën kohë, ai hap rrugën për përmirësimin e mëtejshëm të hapësirës ajrore dhe konceptet operacionale të Menaxhimit te Trafikut Ajror. Në vijim të këtij projekti madhor evropian, Albcontrol ka vënë në jetë FRA brenda hapësirës ajrore shqiptare që prej majit 2017 (gjatë orëve të natës) dhe nga dhjetori 2017 FRA është zbatuar 24/7. Ky ndryshim i madh në konceptin operacional ka ardhur si rezultat i përmirësimeve të rëndësishme në sistemet operacionale të Albcontrol.
Pavarësisht vështirësive të krijuara nga situata e pandemisë COVID-19, Albcontrol ka vazhduar të punojë për përmirësime të mëtejshme të shërbimeve tona dhe jemi krenarë të njoftojmë se Albcontrol dhe M-NAV (Republika e Maqedonisë së Veriut) do t’i bashkohet Iniciativës për Qiellin e Përbashkët të Evropës Juglindore (SECSI FRA, Southeast Europe Common Sky Initiative Free Route Airspace), nga data 2 Dhjetor 2021.
SECSI FRA, i cili është zhvilluar me mbështetjen e Menaxherit të Rrjetit (Eurocontrol) dhe me anëtarët e rinj të programit, do të përbëjë një nga hapësirat ajrore më të mëdha ndërkufitare në Evropë. Është një hap i madh drejt arritjes së një zone të përbashkët të hapësirës pa rrugë ajrore në kontinentin Evropian. Në këtë projekt, përveç Albcontrol do bëhet pjesë dhe M-NAV të cilët do t’i bashkohen ofruesve të mëposhtëm të shërbimeve të lundrimit ajror, Sllovenia Control (Slloveni), Austrocontrol (Austri), Croatia Control (Kroaci), SMATSA (Serbi/Mali i Zi) dhe BHANSA (Bosnje dhe Hercegovinë).
Përfitimet e ofruara nga kjo zonë e zgjeruar e hapësirës ajrore e SECSI FRA do të jenë të konsiderueshme. Përdoruesit e hapësirës ajrore do të jenë në gjendje të fluturojnë më shumë rrugë direkte me kursime të mundshme në ditë deri në 1,940 milje detare në distancën e fluturimit, 285 minuta në kohë fluturimi, ulje të konsumit të karburantit deri në 8,000 kg dhe një reduktim të emetimeve të dioksidit të karbonit (CO2) prej 25,500 kg. SECSI FRA i ri do të kursej rreth 700,000 NM (1,300,000 km) në distanca fluturimi në vit dhe do të ofrojë më shumë mundësi kur përcaktohen trajektoret e preferuara nga përdoruesit ajror. FRA e plotë ndërkufitare i lejon linjat ajrore të shfrytëzojnë kushtet dinamike të erës dhe të përshtaten me mungesat e pjesshme të hapësirave. Ai do të ofroj më shumë parashikueshmëri nëpërmjet planifikimit të përmirësuar të fluturimit dhe do të reduktojë ngarkesën e punës për pilotët dhe kontrollorët e trafikut ajror.
Kjo iniciativë është një pjesë integrale e vizionit të Komisionit Evropian për një zonë të hapësirës ajrore evropiane pa rrugë, ndërkohë që plotëson kërkesat e përdoruesve të hapësirës ajrore për opsione të shumëfishta rrugësh ndërmjet qyteteve.