- 31 Korrik, 2014
- Comments (0)
ALBCONTROL i është bashkuar projektit Albanian Cap Project (ACP) “250 kg tapa për një karrige me rrota”; 2 kuti plexy-glass janë vendosur, njëra pranë hyrjes kryesore të ndërtesës së ALBCONTROL dhe tjetra në ambjentet e ACC. Falë sensibilitetit dhe humanizmit të kompanisë ALBCONTROL, këto dy kuti me tapa plastike do të dorëzohen pranë Projektit për t’i ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuar. I implementuar në Shqipëri nga Organizata e Solidaritetit Rinor (OSR org), projekti dëshmon se si një element i thjeshtë i jetës së përditshme, një kapak plastik, mund të ndryshojë jetën e një personi me aftësi të kufizuar. E realizuar me ndihmën e 200 vullnetarëve të shpërndarë në 17 qytete të Shqipërisë, nisma krijoi për herë të parë trendin e riciklimit në shoqërinë shqiptare duke rritur ndërgjegjen qytetare ndaj njerëzve në nevojë. ACP është një projekt me bazë humanitare, por që në të njëjtën kohë respekton dhe mbështet plotësisht qëndrueshmërinë mjedisore.
Qëllimi kryesor i Cap Project është të mbledhë dhe riciklojë tapa plastike si një burim për të siguruar karrige me rrota për njerëzit me aftësi të kufizuara të cilët nuk mund ta përballojnë një të tillë. Strategjia për mbledhjen e tapave është vendosja e një qendre grumbullimi në Tiranë dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërise, duke filluar nga shkollat fillore, të mesme, universitetet, restorantet, bibliotekat e institucione të tjera.
Aktiviteti kryesor i këtij projekti është të shmangë jetën plastike tonën dhe të bëjë njerëzit të besojnë në vetvete se, edhe duke mos bërë asgjë, por vetëm duke mbledhur tapa, mund të ndryshojnë jetën e dikujt. Nga ana tjetër, këto aktivitete do t’i bëjnë njerëzit me aftësi të kufizuara të besojnë në veten e tyre, të integrohen në shoqëri që të krijojnë mundësi arsimi dhe punësimi.