Slide 1
ALBCONTROL
ALBCONTROL
Slide 1
AIR TRAFFIC
CONTROL
AIR TRAFFIC
CONTROL
Slide 1
INNOVATING
THE SKY
INNOVATING
THE SKY
Slide 1
ENVIRONMENT
MANAGEMENT
SYSTEM
ENVIRONMENT
MANAGEMENT
SYSTEM
previous arrow
next arrow

Bota e sotme e kontrollit të trafikut ajror karakterizohet nga avancimi i shpejtë i teknologjisë, rritja e qëndrueshme e trafikut ajror Evropian dhe kërkesat e Qiellit të Vetëm Evropian. Për të adresuar këto sfida, ne aplikojmë teknologji dhe sisteme të reja për të rritur sigurinë dhe për të automatizuar pjesërisht kontrollin e trafikut ajror.

Ekipi ynë i mirëtrajnuar i inxhinierëve monitoron, mirëmban, përmirëson sistemet dhe merr pjesë aktive në programet ndërkombëtare të zhvillimit.

Monitorimi dhe kontrolli i sistemeve dhe pajisjeve teknike kryhet në mënyrë të vazhdueshme për 24 orë në ditë për 7 ditë në javë.

Sistemet e Menaxhimit të Trafikut Ajror (ATM)

Sistemet ATM janë sisteme të avancuara që përdorin algoritme të sofistikuara për të gjeneruar dhe shfaqur informacione kritike për sigurinë e operimit nga një mori e madhe të dhënash. Këto sisteme janë të domosdoshme për menaxhimin e sigurt dhe efikas të trafikut ajror dhe përfshijnë:

  • Sistemet Operacionale të Shfaqjes së të Dhënave;
  • Sistemet e Përpunimit të të Dhënave të Fluturimit;
  • Sistemet e Përpunimit të të Dhënave të Mbikëqyrjes;
  • Rrjetat e Sigurisë dhe Sistemet e Ndihmës Monitoruese;
  • Sistemet e Menaxhimit të Informacionit Aeronautik;
  • Sistemet e Përpunimit të të Dhënave Meteorologjike;
  • Sisteme të tjera mbështetëse të Teknologjisë së Informacionit.

Sistemi më kompleks i ATM-së është Skyline, i cili është gjithashtu një nga sistemet tona më të rëndësishme për menaxhimin e trafikut gjatë rrugës, afrimit dhe të uljes në aeroporte.

Sistemet e Komunikimit Zanor

Komunikimi zanor vazhdon të jetë shtylla kryesore e kontrollit efikas dhe të sigurt të trafikut ajror. Vendosja e shpejtë dhe e qëndrueshme e komunikimit zanor ndërmjet qendrave të kontrollit të trafikut ajror dhe avionëve (komunikimi ajër-tokë) dhe ndërmjet qendrave në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë vendit (komunikim tokë-tokë) është një nga parakushtet kryesore për ofrimin e shërbimeve ATC.

Arkitektura e Sistemeve të Komunikimit Zanor është maksimalisht e sigurt dhe e menaxhueshme, gjë që mundëson ofrimin e pandërprerë të shërbimeve ATC edhe në rast të dështimit të segmenteve të veçanta.

Sistemet më të rëndësishme të komunikimit zanor janë:

  • Sistemet e Kontrollit të Komunikimit Zanor;
  • Sistemet Rezervë të Kontrollit të Komunikimit Zanor;
  • Sistemet e radios VHF dhe UHF në shumë vendndodhje në të gjithë vendin;
  • Sistemet e Regjistrimit dhe Riprodhimit të Zërit.

Sistemet e Kontrollit të Komunikimit Zanor (VCCS) janë instaluar në ACC-në e Tiranës. Ato mundësojnë një shpërndarje të shpejtë dhe efikase të të gjitha burimeve të komunikimit (A-G dhe G-G) të kërkuara nga kontrollori i trafikut ajror për të vendosur komunikimin me avionët dhe njësitë ATS fqinje.

Sistemet e radios VHF/UHF për komunikimin A-G janë vendosur në mënyrë strategjike në disa stacione radiosh në të gjithë vendin për të siguruar mbulim cilësor të të gjithë hapësirës ajrore në zonën tonë të përgjegjësisë dhe ofrimin e të gjitha llojeve të shërbimeve ATC. Përpara përdorimit operacional, të gjitha frekuencat e radios VHF për komunikimin A-G janë të harmonizuara ndërkombëtarisht dhe të regjistruara në bazën qendrore të të dhënave globale të ICAO-s për caktimin e frekuencave. Përgjegjësia jonë është caktimi dhe regjistrimi i frekuencave VHF në Republikën e Shqipërisë.

Sistemet e Mbikëqyrjes së Trafikut Ajror

Mbikëqyrja e trafikut ajror kryhet duke përdorur një sërë teknologjish të mbikëqyrjes, duke përfshirë sistemet e radarit. E gjitha kjo, garanton ofrimin e sigurt dhe efikas të Shërbimeve të Trafikut Ajror (ATS), nga ndezja e motorit dhe manovrimi në tokë, deri tek fluturimi në hapësirën ajrore të Shqipërisë, duke zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të zbatueshme, në përputhje të plotë me rregulloret aktuale Evropiane.

Sistemet e Lundrimit

Sistemet e Lundrimit sigurojnë mbulimin e hapësirës ajrore me sinjale të përshtatshme lundrimi me të cilat pilotët dhe sistemet teknike në bord marrin informacionin e nevojshëm.

Sistemet e nevojshme për lundrim të sigurt janë:

  • VOR/DME;
  • ILS;
  • GNSS.

Sistemet Meteorologjike

Kushtet e motit janë një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në sigurinë e operimit të trafikut ajror. Sistemet e vëzhgimit të motit sigurojnë matjen, mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe shfaqjen e të dhënave meteorologjike. Këto sisteme mund të jenë bazike ose të automatizuara. Sistemet bazike janë më të përshtatshmet për t’u përdorur në aerodromet më pak të ngarkuar të Shqipërisë, sepse ato përpunojnë dhe shfaqin të dhënat kryesore të motit. Sistemet e automatizuara përbëhen nga sensorë dhe tregues meteorologjikë, pajisje komunikimi, pajisje për mbledhjen e të dhënave dhe pajisje për përpunimin dhe shfaqjen e këtyre të dhënave. Sistemet e këtij lloji përpunojnë një grup të plotë të dhënash informacioni meteorologjik, i cili shfaqet në sistemet e kontrollorëve të trafikut ajror dhe në stacionet e punës së meteorologëve dhe ruhet e shpërndahet tek përdoruesit vendorë dhe ata fundorë sipas formateve të caktuara. Sistemet moderne meteorologjike rrisin sigurinë dhe efikasitetin e operimeve ajrore, duke mundësuar një cilësi më të lartë të shërbimeve tona.

Sistemet e Menaxhimit të Informacionit Aeronautik

Baza e të dhënave evropiane e shërbimeve të informacionit aeronautik (EAD) është një bazë e centralizuar e informacionit aeronautik që garanton cilësi dhe u mundëson përdoruesve të marrin dhe shkarkojnë të dhënat e AIS në kohë reale.

Ai siguron akses të menjëhershëm në informacionin digjital aeronautik të përditësuar nga zonat e ECAC, duke filluar nga njoftimet për pilotët dhe kompanitë ajrore (NOTAM), buletinët  e informacionit para fluturimit (PIB), shërbimet dhe publikimet aeronautike AIP.

EAD është sistemi më i madh në botë i menaxhimit të informacionit aeronautik (AIM).

Sistemet e Komunikimit të të Dhënave

Komunikimi i të dhënave mbulon një gamë specifike të teknologjive të komunikimit, si Rrjeti i Telekomunikacionit Fiks Aeronautik/Sistemi i Trajtimit të Automatizuar të Mesazheve (AFTN/AMHS). Për të siguruar një shkëmbim të sigurt dhe të besueshëm të mesazheve ATS, sistemi përdor AFTN, pra versionin më modern të tij, Sistemin e Trajtimit të Mesazheve Aeronautike (AMHS) bazuar në standardin ITU-T X.400.

Infrastruktura e Telekomunikacionit dhe Rrjetit

Infrastruktura e Telekomunikacionit dhe Rrjetit përbëhet nga një sërë teknologjish dhe sistemesh që mundësojnë një komunikim të besueshëm me sistemet dhe pajisjet e tjera operative. Komunikimi i besueshëm është një faktor kyç për funksionimin e suksesshëm në çdo fushë të ekonomisë dhe në Menaxhimin e Trafikut Ajror është ngritur në një nivel edhe më të lartë, kryesisht në kuadrin e sigurisë.

Sistemet e Energjisë Elektrike dhe të Kondicionimit

Sistemet e energjisë elektrike dhe të ajrit të kondicionuar mbështesin të gjitha sistemet e tjera teknike në funksion të sigurimit të furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike. Ato janë pjesë e infrastrukturës në të gjitha vendndodhjet dhe përdoren për furnizimin me energji elektrike dhe ftohjen e të gjitha sistemeve dhe pajisjeve të tjera. Sistemet e energjisë elektrike dhe të ajrit të kondicionuar përfshijnë:

  • sistemet e shpërndarjes dhe kontrollit të energjisë me tension të ulët;
  • një numër të madh gjeneratorësh automatikë me naftë;
  • lloje dhe madhësi të ndryshme të pajisjeve të furnizimit me energji të pandërprerë;
  • sisteme të furnizimit me energji të pandërprerë;
  • lloje dhe madhësi të ndryshme të sistemeve të ajrit të kondicionuar.