Qëllimi i Shërbimit MET është të furnizojë përdoruesit aeronautikë me të gjithë informacionin e duhur meteorologjik, që nevojitet për një fluturim të sigurt, të rregullt dhe efikas.
Zyra e Vëzhgimit Meteorologjik (MWO) bën të gjitha përpjekjet e duhura për t’u siguruar që të kuptojë dhe të plotësojë në maksimumin e mundshëm kërkesat e përdoruesve.
Shërbimi ofrohet 24 orë në ditë, në çdo ditë të vitit. Përdoruesit e këtij shërbimi janë: operatorët ajrorë, ekuipazhet e fluturimit, shërbimet e trafikut ajror, shërbimet e kërkimit dhe shpëtimit, menaxhimi i aeroportit dhe pjesëtarë të tjerë të aeroportit apo zhvillimit të shërbimeve të lundrimit ajror.
Pasqyra e Shërbimeve
Shërbimi MET përpilon dhe publikon produkte të ndryshme meteorologjike për përdorim të brendshëm e të jashtëm. Këto produkte ndahen në 3 kategori: Raporte meteorologjike të vrojtimit, Parashikime dhe Paralajmërime, dhe Informacion Klimatologjik. Përveç këtyre, operatorëve dhe ekuipazheve të fluturimit, ju ofrohet informacioni i nevojshëm me të dhëna për aeroportin e nisjes, të mbërritjes, aeroportet alternative dhe informacion en-route për gjithë itinerarin e fluturimit.