Bashkëpunimi Ndërkombëtar
Ne marrim pjesë në zhvillimin e hapësirës ajrore Evropiane përmes bashkëpunimit me organizata dhe shoqata të shumta.
Zbatimi i Politikave të Qiellit të Vetëm Evropian kërkon bashkëpunim të ngushtë në nivel Evropian. Ne jemi pjesë aktive e organizatave, shoqatave dhe programeve ndërkombëtare si më poshtë:
SESAR
SESAR është një program kërkimor në fushën e menaxhimit të trafikut ajror në Evropë, i cili fokusohet më së shumti tek realizimi teknik i Nismës së Qiellit të Vetëm Evropian.
Për të menaxhuar zhvillimin e SESAR, Bashkimi Evropian themeloi Nismën e Përbashkët SESAR në 2007, si një partneritet publik-privat i Komisionit Evropian, EUROCONTROL-it dhe sektorit të aviacionit, duke përfshirë ofruesit e shërbimeve të lundrimit ajror.
Në fund të vitit 2021, nisi zyrtarisht Nisma e Përbashkët SESAR 3 (SESAR 3 JU), duke shënuar kështu një kapitull të ri në modernizimin e menaxhimit të trafikut ajror Evropian. SESAR 3 JU zëvendëson paraardhësin e tij SESAR JU, duke marrë përsipër të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tij të përfshira në programin SESAR 2020 dhe duke çelur zyrtarisht programin e ri SESAR 3.
Për të zbatuar projekte të përbashkëta që synojnë përmirësimin e efikasitetit të sistemit Evropian të menaxhimit të trafikut ajror, Komisioni Evropian krijoi funksionin SESAR Deployment Manager në vitin 2014, duke afruar linjat ajrore, operatorët e aeroportit dhe ofruesit e shërbimeve të lundrimit ajror në një nismë të përbashkët.
ICAO
Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, e cila përcakton standardet dhe praktikat e rekomanduara në funksion të rritjes së sigurisë së aviacionit. ICAO zhvillon parimet e sigurisë në operim, kapacitetit dhe efikasitetit të lundrimit ajror dhe promovon planifikimin dhe zhvillimin e trafikut ajror.
EUROCONTROL
EUROCONTROL është Organizata Evropiane për Sigurinë e Lundrimit Ajror, që punon për të harmonizuar dhe zhvilluar shërbimet e lundrimit ajror në shtetet anëtare. Kjo organizatë kryen detyra brenda kornizës legjislative të Qiellit të Vetëm Evropian dhe ofron mbështetje teknike për Komisionin Evropian në fushën e masave rregullative. EUROCONTROL vepron gjithashtu si Menaxher i Rrjetit për funksionet e rrjetit të menaxhimit të trafikut ajror, si edhe mbledh tarifat e paguara nga linjat ajrore për përdorimin e shërbimeve të lundrimit ajror.
CANSO
CANSO është një shoqatë e ofruesve të shërbimeve të lundrimit ajror civil, e krijuar për të përfaqësuar interesat e industrisë së aviacionit dhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të saj në nivel global dhe rajonal. ALBCONTROL operon brenda CANSO Europe dhe merr pjesë aktive në funksionimin e komiteteve të ndryshme të kësaj organizate.
Aktivitetet Zhvillimore
ALBCONTROL, gjatë zhvillimit të aktiviteteve për realizimin e objektivave të politikave shtetërore dhe të kompanisë, zbaton dhe detyrimet e tij në lidhje me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë, rregulloret e Komisionit Evropian si dhe pritshmëritë e përdoruesve të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë. Shumica e projekteve të zhvillimit dhe zbatimit janë pjesë e programit SESAR. Komisioni Evropian thekson rëndësinë e zbatimit në kohë të SESAR.